Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është zhvilluar vizita zyrtare e akreditimit për tre programe të rëndësishme të studimit: Matematikë dhe STEM, BSc (180 ECTS) të Fakultetit të Shkencave Aplikative dhe E-privacy, AI dhe Mbrojtja e të Dhënave, MSc (120 ECTS), një program i përbashkët i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetit Juridik.
Vizita u realizua nga Ekipi i Ekspertëve Ndërkombëtarë, të përbërë nga Peeter Normak, Hasan Cakir, Johannes Falterbaum dhe Nadia Manzoni, nën koordinimin e përfaqësuesve të Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA), Shkelzen Gerxhaliu dhe Mimoza Dobra.
Gjatë vizitës, ekspertët zhvilluan takime me menaxhmentin e fakulteteve, ku u diskutua për objektivat akademike dhe strategjitë për rritjen e cilësisë së programeve.
Në takimet me stafin akademik, u vlerësuan metodat e mësimdhënies, përvoja profesionale dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Studentët e programeve ndanë përvojat e tyre, sfidat dhe kontributin që programet japin në zhvillimin e tyre profesional.
Ndërkohë, në takimet me punëdhënësit dhe palët e jashtme, përfaqësues nga institucione si Agjencia për Informacion dhe Privatësi, banka të ndryshme dhe drejtoritë komunale të arsimit, diskutuan rëndësinë e programeve dhe vlerën e tyre në tregun e punës.
Ekspertët vizituan edhe ambientet dhe laboratorët e UKZ-së, duke vlerësuar infrastrukturën moderne, pajisjet dhe mjedisin e punës që u ofrohet studentëve.
Kjo vizitë e akreditimit përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e standardeve akademike në UKZ dhe sigurohet që programet të jenë në përputhje me kriteret ndërkombëtare të cilësisë dhe inovacionit.
