UKZ përfaqësohet në konferencën ndërkombëtare “StartUpMorocco SUM25” në Casablanca

 

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “StartUpMorocco SUM25”, e cila po zhvillohet në Casablanca të Marokut, me temën qendrore: “Building Unicorns and Shaping the Global South – Think Big. Act Small. Build for Impact”.

Konferenca, e organizuar çdo vit nga përfaqësues të universiteteve publike dhe private të Mbretërisë së Marokut, zgjat katër javë dhe mbledh pjesëmarrës nga e gjithë bota, përfshirë start-up-e, biznese, analistë ekonomikë, bankarë dhe gjeopolitikë.

Qëllimi kryesor është shkëmbimi i njohurive për zhvillimin ekonomik të kompanive private dhe inovative që ende nuk janë të listuara në bursë, duke trajtuar financimet, kornizat ligjore, marketingun dhe ndikimet gjeopolitike.

Përfaqësuesi nga UKZ ka marrë pjesë në dy sesione të përgjithshme më 21 dhe 22 nëntor: “Building Financial Narratives that Inspire Trust” dhe “Fundraising Strategy and Timing”, ndërsa do të vazhdojë pjesëmarrjen edhe në sesionet e specializuara gjatë dhjetorit.

Gjatë prezantimeve është paraqitur potenciali i Kosovës për investime dhe bashkëpunime B2B, duke u theksuar rëndësia e krijimit të një narrative bindëse për investitorët në fazat e hershme të një start-up-i dhe roli i financimit fillestar (“seed financing”).

Po ashtu janë diskutuar strategjitë e financimit, zhvillimi i produktit, marketingu, fushatat promovuese, takimet B2B dhe bashkëpunimet me Odat Ekonomike, fondet investuese dhe institucionet bankare.

Gjatë konferencës është zhvilluar edhe një takim pune me drejtues të “SUM25”, ku janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet UKZ-së dhe kësaj organizate në fusha me interes të përbashkët.

 

Shpërndaj me të tjerët