UKZ pjesë e Forumit Ndërkombëtar për Arsimin e Lartë

 

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Dr. Dukagjin Leka, së bashku me Dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale,Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, morën pjesë në Forumin Ndërkombëtar Akademik, ku u diskutua gjerësisht roli dhe ndikimi i ndërkombëtarizimit të universiteteve në kontekstin global.

Në panelin ku morën pjesë ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, Prof. Dr. Dukagjin Leka foli për rëndësinë e ndërkombëtarizimit në fuqizimin e institucioneve të arsimit të lartë përmes thithjes së projekteve të reja, rritjes së numrit të mobiliteteve, si dhe zgjerimit të bashkëpunimeve me partnerë ndërkombëtarë.

Gjatë diskutimit u theksua se ndërkombëtarizimi ndikon drejtpërdrejt edhe në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, hulumtimit shkencor dhe inovacionit, si dhe në rritjen e kapaciteteve të stafit akademik dhe administrativ. Po ashtu u trajtuan edhe sfidat, si mungesa e kompetencave në gjuhën angleze, kapacitetet e kufizuara financiare dhe infrastrukturore, apo sfida të absorbimit të zhvillimeve të shpejta në arsim.

Një nga shembujt e suksesshëm të prezantuar nga Prorektori Leka në forum, ishte projekti SHER, i cili mbështet krijimin e programeve të përbashkëta dhe me diplomë të dyfishtë. Prorektori Prof. Dr. Dukagjin Leka tha se UKZ aktualisht po punon në këtë drejtim me partnerin e tij, Universitetin e Romës “La Sapienza”, duke dëshmuar se bashkëpunimet ndërkombëtare sjellin transformim dhe praktika të avancuara në universitet.

Në fund të forumit, pjesëmarrësit ndanë rekomandime dhe rezultate të rëndësishme, ku UKZ ishte pjesë aktive e diskutimit dhe prezantimit të përvojave dhe zhvillimeve të veta.

 

Shpërndaj me të tjerët