UKZ thellon bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri

 

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan po zgjeron rrjetin e bashkëpunimeve ndërkombëtare me institucione akademike në rajon. Pas marrëveshjes së nënshkruar me Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, përfaqësuesit e UKZ-së, të kryesuar nga rektori Prof. Dr. Artan Dërmaku, janë takuar me rektorin e Universitetit të Arteve në Tiranë, Prof. Dr. Erald Bakalli.

Gjatë këtij takimi, u shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim të gjerë në fushën e arsimit të lartë dhe shkëmbimeve akademike. Palët diskutuan për realizimin e projekteve të përbashkëta në kuadër të programit Erasmus+, mundësitë për mobilitet të studentëve dhe stafit akademik, si dhe organizimin e aktiviteteve me karakter akademik dhe kulturor.

Një nga pikat kyçe të diskutimit ishte edhe krijimi i programeve të përbashkëta studimi, duke përfshirë edhe partneritete me universitete evropiane, veçanërisht nga rajoni i Kalabrisë në Itali.

Përfaqësuesit e të dy universiteteve u dakorduan që ky bashkëpunim të formalizohet së shpejti përmes një marrëveshjeje zyrtare, në të cilën do të definohen të gjitha aspektet e bashkëpunimit të ardhshëm.

 

Shpërndaj me të tjerët