UKZ vazhdon punimet e ditës së dytë të projektit MEDIATOR

 

Takimi i dytë i projektit ndërkombëtar MEDIATOR, që po zhvillohet në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, vazhdoi sot me sesione të fokusuara në menaxhimin dhe planifikimin e aktiviteteve për tre vitet e ardhshme.

Projekti, pjesë e programit Erasmus+ CBHE dhe i koordinuar nga UKZ-ja, synon modernizimin e arsimit të lartë përmes integrimit të ndërmjetësimit si praktikë akademike dhe profesionale në Ballkanin Perëndimor.

Në punimet e ditës morën pjesë partnerë nga Kosova, Shqipëria, Holanda, Letonia dhe Italia.

U diskutua roli i secilit institucion, finalizimi i marrëveshjeve të partneritetit dhe koordinimi i paketave të punës.

Marrëveshjet janë nënshkruar nga rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, dhe përfaqësuesit institucionalë.

Koordinatori i projektit, Prof. Dr. Dukagjin Leka, prezantoi kornizën organizative dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për zbatimin e aktiviteteve sipas standardeve të Erasmus+.

Një pjesë e rëndësishme iu kushtua menaxhimit financiar, mënyrave të raportimit dhe përdorimit të platformës SIGMA.

Po ashtu u trajtuan procedurat logjistike për vizitat studimore dhe takimet ndërkombëtare që do të zhvillohen nga viti 2026 deri në 2028.

Partnerët u pajtuan për themelimin e Komitetit Drejtues dhe Komitetit të Sigurimit të Cilësisë, si dhe për një qasje të unifikuar në dokumentim dhe komunikim përmes platformave të përbashkëta.

Në fund, u diskutua strategjia e marketingut dhe diseminimit: krijimi i logos së projektit, materialeve promocionale, faqes zyrtare dhe kanaleve në rrjete sociale, me angazhimin e të gjithë partnerëve për rritjen e dukshmërisë.

Projekti MEDIATOR pritet të sjellë ndikim të rëndësishëm në modernizimin e arsimit të lartë dhe zhvillimin profesional të studentëve dhe stafit në rajon.

 

Shpërndaj me të tjerët