Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar sot Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.
Gjatë këtij takimi pune, delegacioni nga Gjilani u prit nga drejtuesit e lartë të Institutit, me të cilët u diskutuan mundësitë e ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Fokusi i bisedës ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje zyrtare që do të mundësonte zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore dhe kërkimore, organizimin e aktiviteteve akademike si konferenca e simpoziume, si dhe këmbimin e rregullt të botimeve shkencore mes dy institucioneve.
Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kërkimit shkencor dhe avancimit të studimeve në fushën e shkencave sociale dhe historike, duke krijuar hapësira të reja për stafin akademik dhe studentët.
