Drejtori Sportiv i SC Drita, Valon Zymberi, ka reaguar me tone ironike ndaj televizoneve vendore, për shkak të mungesës së interesimit për të transmetuar ndeshjen e kthimit ndaj Copenhagen, që zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Sipas Zymberit, ndonëse transmetuesit danezë kishin vendosur një çmim të përballueshëm për të drejtat televizive, askush në Kosovë nuk e mori hapin për ta siguruar këtë ndeshje për publikun vendas.
“Transmetuesit në Danimarkë kishin vendosur një çmim prej 3,900 eurosh për ndeshjen Copenhagen – Drita. Asnjë televizion nga Kosova nuk tregoi interes për të blerë të drejtat e transmetimit,” ka deklaruar Zymberi.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur Drita po përjeton një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e saj evropiane, ndërsa përkrahësit e shumtë të klubit do të donin ta ndiqnin ndeshjen edhe përmes ekraneve.