Një traditë që nisi me një sheqerkaxhi në vitin 1961
Ëmbëltorja “Vanilla” është më shumë se një lokal, është një histori qyteti.
Para 64 viteve, Ismajl Pajaziti nga Radeshi i Dragashit nisi t’i shiste sheqerkat dhe karamelet e bëra vetë pranë “Urës së Musketarit”.
Aty filloi rrugëtimi që më vonë u shndërrua në një ndër pastiqeritë më të vjetra dhe më të dashura të Gjilanit.
Nga baraka “Sport” te legjenda “Korzo”
Kur puna nisi të rritej, Ismajli mori një lokal të vogël të improvizuar me emrin “Sport”.
Më pas lind “Korzo’, lokal i zgjeruar rreth 100 m², i emërtuar sipas shëtitores së famshme të mbrëmjes ku rinia gjilanase dilte për t’u shëtitur, takuar e kuvenduar, jo vetëm rinia, por gjithë qytetarët pa dallim nacionaliteti.
Haxhi Asani, djali i madh, nisi të punonte aty që në moshën 10-vjeçare. “Korzo” u bë pikëtakim romantik, shoqëror e familjar për dekada.
Aty u krijuan miqësi, dashuri dhe histori që sot janë kujtime të brezave të tërë.
Tito në Gjilan dhe goditja që mori ëmbëltorja
Në vitin 1970, gjatë vizitës së Titos në Gjilan, strukturat komunale u munduan të “pastrojnë” qytetin. Si pasojë, “Korzo”-s iu rrënua një pjesë e punëtorisë dhe lokali u zvogëlua
Hapja e lokalit të ri dhe lindja e “Vanilla”-s
Në vitin 1976, familja Pajaziti bleu me forcat e veta lokalin përballë xhamisë së madhe.
Objekti u finalizua në vitin 1978, por lokalin e ri e hapën vetëm në vitin 1983, kur u krijua edhe emri i ri “Vanilla”, emër që, siç tregon haxhi Asani, ia vuri vetë.
Derisa “Vanilla” u bë lokali kryesor, ata punuan paralelisht edhe në “Korzo” deri në vitin 2000.
Pas planeve të reja urbanistike në vitin 2003, mbeti vetëm “Vanilla”.
Tre vëllezër, një zanat dhe pesë familje që jetojnë nga ëmbëlsitë
Sot në këtë ëmbëltore punojnë tre vëllezërit: Asani, Feadisi dhe Sefedin, bijtë e Ismajlit.
Tashmë zanati është trashëguar edhe te fëmijët e tyre, të cilët janë bërë mjeshtër të pandashëm të profesionit.
Pesë familje jetojnë sot nga puna e ndershme e “Vanilla”-s, që ndonëse ka pasur 4–5 punëtorë të jashtëm më herët, sot vazhdon me ritme të qëndrueshme dhe pa ambicie për t’u zgjeruar, sepse, siç thonë vetë, “jemi mirë falë Zotit”.
Shijet e pandryshuara që i rezistojnë kohës
Shampitat, indijankat, tullumbat dhe bakllavat vazhdojnë të jenë yjet e ëmbëltores.
Një kombinim i veçantë që ka klientët e vet të përhershëm është: “Sutliaq + Tullumb”, një traditë që s’e gjen lehtë askund tjetër.
Një ikonë që nuk shuhet në Gjilan
“Vanilla” është ndër pastiqeritë më të vjetra të qytetit, ikonë që ka ruajtur me fanatizëm zanatin e ëmbëlsirave dhe ka krijuar një reputacion të respektuar jo vetëm në Gjilan, por edhe më larg.
Një histori 64-vjeçare, e bërë me duar, me mund, me traditë dhe me dashuri.
Shënim:
Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet.
Mund të shpërndahet vetëm si link.
Botuesi dhe redaktori:
/F.S./
