Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, në Gjilan po zhvillohen aktivitete të shumta sensibilizuese nën moton “Unë, Rozë”, organizuar nga Alisa Bekteshi dhe Doruntina Matoshi, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe organizata partnere.
Aktivitetet e mbajtura në Bibliotekën “Fan S. Noli” kanë përfshirë një fushatë ndërgjegjësimi përmes artit, kulturës, lojës, solidaritetit dhe punëtorive krijuese.
Po ashtu, u zhvillua “Paneli Rozë”, ku u diskutua mbi rëndësinë e vetëkontrollit dhe parandalimit të kancerit të gjirit.
Në këtë ngjarje, Violeta Veleciku ndau me pjesëmarrësit një mesazh frymëzues mbi shpresën dhe kuptimin e saj, ndërsa Celeste Yocom, amerikane që jeton në Prishtinë dhe mbijetuar e kancerit të gjirit, rrëfeu historinë e saj jetësore dhe forcën që e ka mbajtur gjallë gjatë betejës me sëmundjen.
U interpretua edhe kënga “Shpresa në ty Zot”, për të cilën Arberie Kodrolli rrëfeu historinë e kompozimit. Aktiviteti përfundoi me punëtori artistike, ku pjesëmarrësit realizuan punime me rruaza, ngjyrosje të gotave dhe krijime simbolike në temë rozë.
Fushata “Unë, Rozë” vazhdon sonte, më 22 tetor, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, ku do të hapet ekspozita kolektive “Unë, Rozë” me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe ndërkombëtarë, ndërsa mbrëmja do të mbyllet me koncertin sensibilizues të artistit Shpat Deda, i cili do të përcjellë mesazhin e forcës, shpresës dhe bashkë ndjesisë njerëzore.


