Recep Gündüz, me prejardhje nga Gjilani,saktësisht nga Meshina e Kamenicës, e që sot jeton e vepron në Bursa të Turqisë, njihet si mbështetës i shumë projekteve turke në Kosovë.
Ai është një prej veteranëve të Operacionit të Paqes në Qipro të vitit 1974, ku shërbeu si parashutist dhe mbeti i lidhur përgjithmonë me kujtimin e sakrificës dhe heroizmit.
Pas triumfit të madh të Turqisë ndaj Greqisë në gjysmëfinalen e EuroBasket 2025, Gündüz ndau në llogarinë e tij një postim plot emocione, duke e lidhur këtë fitore me kujtimet e tij në ushtri dhe me sakrificat e dëshmorëve të kombit turk.
“Në Operacionin e Paqes në Qipro të vitit 1974, i kujtojmë me respekt e mirënjohje të thellë të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për atdheun, si dhe heronjtë e gjallë, veteranët tanë.
Fitorja e arritur në gjysmëfinalen e EuroBasket kundër Greqisë nuk është thjesht një sukses sportiv.
Ky triumf na rikujton betejat e lavdishme të së kaluarës, sakrificat e heronjve që ranë në Qipro dhe shpirtin e pavarësisë që ata na lanë amanet”, shkroi Gündüz.
Ai theksoi se këtë fitore e përjetoi me krenari të madhe dhe me kujtimin e gjallë të atyre që dhanë jetën për liri:
“Ata sakrifikuan jetën për lirinë e këtyre trojeve, ndërsa ne sot mbajmë gjallë trashëgiminë e tyre. Kjo fitore është simbol i unitetit, besimit dhe guximit të kombit tonë.
U prehtë në paqe shpirti i dëshmorëve, e u bëftë jetë e gjatë e me bekime për të gjithë veteranët.”
Veç kësaj, ai shoqëroi postimin edhe me një fotografi simbolike të dy lojtarëve të kombëtares turke, të cilët kanë prejardhje shqiptare, një nga Shqipëria dhe tjetri nga Maqedonia e Veriut, duke treguar se kjo fitore për të kishte edhe një dimension të veçantë shpirtëror e identitar.
Në fund, veterani i Qipros shprehu mirënjohjen për “12 Djemtë e Mëdhenj” që, siç tha ai, i dhuruan kombit edhe një herë krenari të madhe.