Historiani Nexhmedin Sejdiu, i lindur dhe i rritur në Zarbincë të Malësisë së Bujanocit, ku ka kryer edhe shkollimin fillor, rikthen me emocione të forta kujtimet e pritjes së Vitit të Ri para luftës, gjatë viteve ’90, në këtë trevë.
Sot, ai jeton dhe vepron në Prishtinë, si drejtor i SHFMU “Pjetër Bogdani”, por mendja dhe zemra, në prag të ndërrimit të motmoteve, i kthehen gjithmonë te vendlindja.
“Atëherë jeta ishte e vështirë, por zemrat ishin të mbushura. Kishim pak, por gëzimi ishte i madh”, kujton Sejdiu, duke theksuar se Viti i Ri i asaj kohe ishte më i thjeshtë, por shumë më i ngrohtë se sot.
Ai rrëfen një udhëtim drejt shtëpisë së dajallarëve në lagjen Litesh, në një nga dimrat më të ftohtë të asaj kohe.
Bora e madhe kishte mbuluar gjithçka dhe udha mezi dallohej, ndërsa rruga dukej e pafund.
“Kur iu afruam lumit që ndante lagjet tona, akulli e kishte mbuluar tërësisht. Kalimi mbi të ishte i rrezikshëm, por e bëmë duke rrëshqitur, me frikë dhe buzëqeshje njëkohësisht”, rrëfen ai.
Në shtëpinë e dajallarëve, familja priste Vitin e Ri duke shikuar ato pak programe festive që transmetoheshin.
Një çast gëzimi i veçantë ishte kur daja Naim, duke rregulluar antenën, arriti të kapte një emision në gjuhën shqipe.
“Ndoshta ishte TVSH-ja. Ai moment na bëri të ndiheshim sikur nuk ishim vetëm. Por gëzimi zgjati pak, në ekran u shfaqën njollat e famshme ‘mizat’”, kujton Sejdiu me mall.
Megjithatë, mesnata erdhi.
Edhe pa program në gjuhën shqipe, festa vazhdoi me ato pak gjëra që kishin: me biseda të gjata, të qeshura të sinqerta dhe një ndjenjë afërsie që sot, sipas tij, na mungon gjithnjë e më shumë.
“Ato net na mësuan se gëzimi nuk matet me bollëk, por me dashuri”, përfundon Sejdiu.

