Vullneti politik i diasporës

 

Nga Flamur Hyseni

Shqiptari i Kosovës që jeton jashtë territorit të saj, për çfarëdo arsye, ka të drejtë të shprehë vullnetin e tij politik sa herë që mbahen zgjedhje në Kosovë. Kjo nuk duhet të konsiderohet kurrë si shqetësim për shtetin e Kosovës, as për ndonjë parti politike. Përkundrazi, shumë më shqetësuese për secilën parti dhe për vetë Kosovën do të duhej të ishte rritja e numrit të qytetarëve që heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.

Historikisht, diaspora ka pasur një rëndësi të veçantë për çdo shtet. Shtrohet pyetja e thjeshtë, por thelbësore: a do të ekzistonte Izraeli pa diasporën e tij?

Edhe diaspora shqiptare, në mënyrë të vazhdueshme, ka pasur rol vendimtar në fatet historike të shqiptarëve, duke filluar nga:

1. Lidhja Shqiptare e Prizrenit (Abdyl Frashëri dhe të tjerët),

2. Kongresi i Manastirit dhe çështja e alfabetit,

3. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912),

4. Veprimtaria e Fan Nolit dhe Faik Konicës në SHBA,

5. Organizimi i protestave të vitit 1981,

6. Organizimi dhe mbështetja e UÇK-së (1991–1999).

Diasporë janë edhe individë që sot përfaqësojnë identitetin shqiptar në nivel botëror: Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka (pavarësisht polemikave), Luan Krasniqi, dhe shumë të tjerë.

Nga kush përbëhej Kombëtarja e Shqipërisë nën udhëheqjen e Lorik Canës?

Nga kush përbëhet sot Përfaqësuesja e Kosovës, dhe sa afër është të kualifikohet këtë vit?

Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza, në rrethana të ndryshme historike, vepruan dhe u afirmuan jashtë hapësirës së sotme shtetërore shqiptare. Në këtë kuptim, edhe ata përbëjnë pjesë të asaj që sot do ta quanim diasporë. Mohimi ose relativizimi i rolit të diasporës është, në thelb, mohim i vetë historisë sonë.

Reagimet euforike dhe jopolitike nuk i shërbejnë askujt dhe nuk përbëjnë analizë. Përçarja nuk është analizë.

Takime në Zvicër dhe Gjermani (fushatë) kanë pasur të gjitha partitë politike. Ky është realitet.

(Autori është profesor universitar)

 

Shpërndaj me të tjerët