VV në Gjilan zyrtarizon Alban Hysenin për mandatin e dytë, mes kritikash të brendshme

 

Këshilli i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan ka konfirmuar mbështetjen për kandidaturën e Kryetarit të Qendrës, njëkohësisht edhe Kryetar i Komunës, Alban Hyseni, për të vazhduar mandatin e dytë në udhëheqje të Gjilanit.

Në të njëjtën mbledhje, këshilli ka votuar gjysmën e listës së kandidatëve për këshilltarë komunal për zgjedhjet e 12 tetorit.

Nga gjithsej 38 kandidatë të mundshëm, këshilli miratoi 19, ndërsa përzgjedhja e 19 të tjerëve iu la në diskrecion kryetarit të degës, duke i dhënë atij hapësirë të plotë për të plotësuar listën finale të asamblesë. Ky vendim shihet si pjesë e strategjisë së VV-së për të konsoliduar radhët para garës zgjedhore.

Sipas VV-së, lista përfaqëson vlera me njerëz të shquar të komunës dhe profesionistë të dalluar në fushat e tyre, të cilët synojnë përfaqësim me dinjitet, duke e pasur mirëqenien qytetare dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm si prioritet kryesor.

Megjithatë, sipas burimeve të portalit tonë, gjatë mbledhjes ka pasur reagime dhe mospajtime për mosmbajtjen e mbledhjeve të rregullta dhe për mënyrën se si janë zhvilluar punët deri më tani. Kritikat janë cilësuar si konstruktive dhe të mbështetura me fakte, ndërsa pakënaqësi janë shprehur edhe për procesin e përpilimit të listës së kandidatëve.

Sipas statutit të VV-së, Këshilli i Qendrës është i obliguar të mbajë mbledhje të rregullta çdo tre muaj.

 

 

Shpërndaj me të tjerët