Xhamia e Dardanisë në Gjilan njihet si një nga institucionet fetare që, përveç kryerjes së riteve fetare, zhvillon vazhdimisht aktivitete edukative, fetare, atdhetare dhe humane, duke dhënë një shembull të fuqishëm të solidaritetit dhe kujdesit për shoqërinë.
Për herë të tretë me radhë, Këshilli i Xhamisë, në krye me imamin hafëz Shaban Murati, ka organizuar aktivitetin e dhurimit vullnetar të gjakut, i cili u mbajt pas faljes së namazit të xhumasë, në hapësirat e brendshme të kësaj xhamie.
Për realizimin e këtij aktiviteti human, një ekip i kompletuar mjekësor nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë kishte vendosur aparaturën dhe mjetet e nevojshme, duke filluar menjëherë procedurat e dhurimit.
Interesimi i besimtarëve dhe qytetarëve për të dhuruar gjak ishte i madh, çka dëshmon vetëdijen e lartë për rëndësinë e këtij akti jetik.
Imami hafëz Shaban Murati, duke folur për këtë aktivitet, theksoi se dhurimi i gjakut është një vepër e madhe humane dhe fetare, pasi lidhet drejtpërdrejt me shpëtimin e jetëve njerëzore.
Ai u shpreh se, sipas mësimeve fetare, kush bëhet shkaktar për shpëtimin e një jete, është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin.
Po ashtu, hafëz Murati bëri të ditur se ky është aktiviteti i tretë i këtij lloji i organizuar në Xhaminë e Dardanisë, duke shprehur krenarinë e tij për xhematin, i cili çdo herë i është përgjigjur pozitivisht thirrjes humanitare, me një numër të konsiderueshëm dhuruesish të gjakut.
Ky aktivitet dëshmon se institucionet fetare, përveç rolit shpirtëror, kanë një mision të rëndësishëm shoqëror.
Dhurimi vullnetar i gjakut mbetet një nga format më fisnike të solidaritetit njerëzor, një akt i vogël për dhuruesin, por shpëtim jete për dikë tjetër.

