Selver Xhelili ka rikandiduar sërish me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke synuar këtë herë të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Edhe në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, Xhelili kishte garuar me sukses, duke siguruar mbi 10 mijë vota, megjithatë jo të mjaftueshme për t’u bërë deputet.
Në një postim në llogarinë e tij, Xhelili u ka bërë thirrje qytetarëve për unitet, duke theksuar rëndësinë e bashkimit për interesat e rajonit të Anamoravës.
“Pa dallim partie e pa ndarje, këtë herë vota e Anamoravës duhet të mbetet në Anamoravë. Për fëmijët tanë, për të ardhmen e gjeneratave që po vijnë dhe për dinjitetin e rajonit tonë. Vetëm të bashkuar mund të jemi të fortë dhe të sigurojmë përfaqësimin që na takon në legjislaturën e ardhshme dhe në institucionet ekzekutive”, ka shkruar Xhelili.
Ai ka bërë thirrje që të lihen anash keqkuptimet dhe interesat e ngushta, duke kërkuar veprim të përbashkët si një zë i vetëm për Anamoravën.
“Anamorava e bashkuar është Anamorava fituese. Me hajr na qoftë dhe përpara për të ardhmen tonë!”, ka përfunduar ai.
Në këto zgjedhje, Selver Xhelili kandidon me numrin 83, duke u konsideruar nga përkrahësit e tij si shpresë dhe garanci për një përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Anamoravës në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka theksuar se angazhimi i tij do të jetë i përkushtuar ndaj interesave të rajonit dhe qytetarëve, me synim forcimin e zërit të Anamoravës në institucionet qendrore.

