Xhiroja e 14-të vendimtare, Drita afrohet te kreu, Ramadani: “Kemi qenë gjithmonë për titull”

 

Xhiroja e 14-të e Albi Mall Superligës së Kosovës solli lëvizje të mëdha dhe një tablo të re në garën për titull.

Prishtina u ndal në mënyrë befasuese, Ballkani po ashtu doli i humbur nga ndeshja e saj, ndërsa Drita shënoi fitore të rëndësishme, duke u rikthyer fuqishëm në luftën për kreun e tabelës.

Me këtë fitore, gjilanasit u barazuan me Ballkanin në pikë dhe tashmë qëndrojnë vetëm tre pikë prapa lideres Prishtina, një diferencë që e bën garën për titull edhe më të fortë dhe më të “paparashikueshme”.

Për shumë analistë dhe njohës të futbollit, kjo xhiro konsiderohet kthesa e madhe e edicionit, sidomos për Dritën, e cila po tregon formë në rritje dhe stabilitet të lartë në lojë.

Sipas tyre, kampionia në fuqi po rikthehet në ritmin e saj të fitimit të titujve dhe me gjasë do të jetë pretendente kryesore deri në fund.

Ramadani i matur, por i qartë: “Drita ka qenë për titull edhe kur ishte 8 pikë mbrapa”

Megjithatë, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, që njihet për qetësinë dhe maturinë e tij, nuk dëshiron të krijojë eufori të panevojshme.

Ai pranon se kjo xhiro doli të jetë në favor të tyre, por thekson se gara është e gjatë. “Drita është për titull edhe kur ishte me 7-8 pikë mbrapa dhe do të jetë deri në fund kandidat serioz për kampion,” deklaroi Ramadani, duke nënvizuar se objektivi kryesor i klubit ka qenë gjithmonë Superliga.

Sipas tij, ekipi ka ruajtur vazhdimësi në rezultate dhe mentalitet deri në këtë fazë të kampionatit, dhe kjo po shpërblehet me rikthimin në hap me kreun.

Ndeshja e Konferencë Ligës kundër Shkëndijës,  më shumë se futboll

Përveç garës në Superligë, Dritën e pret një sfidë jashtëzakonisht e rëndësishme në Conference League.

Të enjten, gjilanasit do të përballen me Shkëndijën e Tetovës, në një takim që cilësohet “më shumë se futboll”.

Ndeshja zhvillohet një ditë para 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, dhe pritet të sjellë një atmosferë të rrallë, pasi të dyja skuadrat njihen për promovimin e vlerave kombëtare shqiptare.

Tribunat pritet të mbushen me tifozeri entuziaste nga të dyja anët, duke e shndërruar këtë duel në një festë të futbollit dhe identitetit.

Ramadani: “Kemi fond të mjaftueshëm për dy fronte, nëse shmangim dëmtimet”

Trajneri Ramadani shpreson që rrugëtimi në Conference League të mos përfundojë në dhjetor, por të vazhdojë edhe në pranverë.

“Kemi fond të mjaftueshëm të lojtarëve për të garuar në të dy kompeticionet, normalisht nëse nuk kemi dëmtime, siç patëm në pjesën e parë të kampionatit,” u shpreh ai.

Drita këtë sezon ka një nga skuadrat më të balancuara në kampionat, me lojtarë të përvojës, talent të ri dhe grup të thellë për të përballuar ndeshjet çdo tre ditë, një avantazh kyç në garën për titull dhe për sukses në arenën ndërkombëtare.

Me rezultatet e kësaj jave, Superliga hyn zyrtarisht në një fazë të re emocionesh, ku çdo pikë mund të bëjë diferencën mes titullit dhe zhgënjimit.

Gara sapo është ndezur dhe Drita, sipas gjithçkaje që po ndodh në fushë, duket e gatshme të luftojë deri në momentin e fundit.

 

Shpërndaj me të tjerët