Pingpongistja e re nga Gjilani, Zana Bllaca, ka shkëlqyer në turneun “Top 8 U11”, që është mbajtur në Prishtinë, duke u renditur e para pa asnjë humbje.
Në këtë garë ku marrin pjesë vetëm tetë pingpongistet më të mira të moshës 11-vjeçare, Zana ka zhvilluar 6 ndeshje dhe ka shënuar 6 fitore, pa humbur asnjë set, një rezultat mbresëlënës dhe i rrallë për këtë kategori moshe.
Kjo arritje e ka futur 9-vjeçaren gjilanase në historinë e pingpongut kosovar, pasi ajo tashmë është kampione e Kosovës në katër gjenerata: U9, U11, U13 dhe U15.
Një sukses i jashtëzakonshëm që tregon për talentin e saj të lindur, punën e përkushtuar dhe disiplinën shembullore në stërvitje.
Trajneri i saj në KP “Gjilani”, Naser Hasani, ish-kampion i shumëfishtë i Kosovës, tha se Zana është “një talent i rrallë, punëtore e madhe dhe e disiplinuar shembullor”, duke shtuar se e ardhmja e saj në këtë sport është shumë premtuese.
Në vitet në vijim, emri i Zana Bllacës pritet të dëgjohet edhe në arenat ndërkombëtare, ku ajo do të përfaqësojë me krenari sportin e pingpongut kosovar dhe qytetin e Gjilanit.

