Zana Bllaca, megjithëse vetëm 9 vjeç, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u shpallur Kampione e Kosovës në pingpong në garën më prestigjioze në Top 8 U15.
Nga gjithsej shtatë ndeshje të zhvilluara, ajo doli fituese absolute, duke triumfuar në të gjitha ballafaqimet.
Sot, kjo vajzë e vogël por me shpirt luftëtare tregoi çfarë do të thotë përkushtim, këmbëngulje dhe guxim.
Në një turne kaq të fortë si Top 8 U15, Zana u përball me kundërshtare shumë më të mëdha në moshë dhe me më shumë përvojë, por asnjëherë nuk u dorëzua.
Çdo pikë ishte betejë, çdo set një motivim i ri, dhe çdo moment shpalosi punën e madhe, disiplinën dhe mundin e saj të vazhdueshëm.
Me vetëm 9 vjet jetë, ajo po dëshmon se talenti nuk ka moshë, e se ëndrrat nuk njohin kufi.
Trajneri i saj, Naser Hasani, ish-kampion i shumëfishtë i Kosovës në pingpong dhe prodhues i shumë talenteve gjatë viteve të fundit, u shpreh se Zana po rritet me ritëm të jashtëzakonshëm dhe po e ndërton rrugën e saj hap pas hapi.
“Krenari e madhe sot për këtë engjëll që po lë gjurmë në pingpong me pasion dhe modestinë e saj”, ka deklaruar Hasani.
