Trajneri i FC Dritës, Zekirija Ramadani, ka komentuar shortin e hedhur sot për fazën Play-Off të UEFA Conference League, ku skuadra nga Gjilani do të përballet me NK Celje nga Sllovenia.
Ramadani theksoi se ky ishte shorti që ekipi kishte dëshiruar, jo për shkak të ndonjë nënvlerësimi ndaj kundërshtarit, por për shkak të forcës së skuadrave të tjera në garë.
“Ishte shorti që kishim dëshiruar, jo sepse ekipi i Celjes është i dobët, por sepse pamë forcën e AZ Alkmaar. Donim që tani të shohim edhe forcën e Celjes. Bëhet fjalë për një skuadër që është në vendin e parë në ligën sllovene, me plot 12 pikë avantazh ndaj vendit të dytë. Do të jetë një përballje shumë e vështirë, por nuk do të dalim të dorëzuar, do të bëjmë gjithçka për t’ua vështirësuar punën,” ka deklaruar Ramadani.
Trajneri bardhekaltër theksoi se Drita do të përgatitet maksimalisht për këtë përballje, me synimin për të vazhduar me dinjitet dhe ambicie rrugëtimin evropian në UEFA Conference League.
Zekirija Ramadani komenton shortin e Conference League
