Arben Zeqiri, ish-futbollist i spikatur i të dyja skuadrave gjilanase dhe tash komentator dhe analist i rregullt sporti, ka dhënë një analizë të detajuar për ecurinë gjashtë-javore të Dritës dhe Gjilanit në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Pritjet dhe realiteti në fushë
Sipas Zeqirit, asnjëra nga skuadrat gjilanase nuk ka arritur nivelin e objektivave të shtruara para fillimit të kampionatit, megjithatë është herët për të nxjerrë konkluzione përfundimtare.
“Me 2-3 fitore radhazi, edhe Drita edhe Gjilani mund të rikthehen shpejt në pjesën e epërme të tabelës,” thekson Zeqiri.
Ai vlerëson se Superliga këtë edicion është më e baraspeshuar, investimet janë bërë, por mbetet dilemë sa do të jenë konsistente skuadrat gjatë kampionatit.
Problemi i lojës dhe mungesa e efikasitetit
Një nga çështjet kryesore është mungesa e harmonisë në lojë.
Zeqiri thekson se megjithëse trajnerët kanë sjellë lojtarët që kanë kërkuar, përforcimet nuk kanë sjellë menjëherë rezultatin e pritur.
Te Drita, përveç lodhjes nga ndeshjet e shumta, problem mbetet edhe mungesa e një fondi të mjaftueshëm lojtarësh dhe disa zgjedhje taktike. “Në futboll ndodh që zgjedhjet taktike herë rezultojnë me sukses, herë jo, dhe kjo është natyra e lojës,” thotë Zeqiri.
Megjithatë, pavarësisht mungesës së golave në kampionat, suksesi në Conference League i ka garantuar klubit stabilitet financiar dhe një perspektivë të qartë për të ardhmen.
Te Gjilani, problemi kryesor mbetet mungesa e efikasitetit dhe lidershipit në fazën e fundit të aksioneve.
“Lojtarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe të tregojnë guxim në përfundimin e aksioneve,” thotë Zeqiri.
Gjilani ka nevojë për më shumë guxim nga individët që pritet të vendosin ndeshjet.
Mesfusha shpesh vonohet në pasimin vendimtar, dhe mungesa e konkretizimit në asistime e gola po ndikon dukshëm në efikasitetin e skuadrës.
Fitoret e Drenicës: fat apo strategji?
Drenica ka befasuar duke fituar dy herë radhazi në Gjilan, ndaj Dritës dhe Gjilanit.
Për Zeqirin, fitorja ndaj Dritës ishte meritë e strategjisë së trajnerit Bylbyl Sokoli, i cili përgatiti skuadrën me disiplinë dhe analizë të detajuar të kundërshtarit.
Ndërsa ndaj Gjilanit, rezultati erdhi pas një gabimi individual në sekondat e fundit, edhe pse Gjilani dominoi me lojë.
“Futbolli shpesh di të jetë i padrejtë. Përvoja e gjatë e Sokolit është faktor vendimtar në këto fitore,” shton Zeqiri.
A janë konsumuar trajnerët?
Në lidhje me kritikat se trajnerët Zeka dhe Nuhiu po shfaqin mungesë idesh, Zeqiri nuk pajtohet.
Ai i cilëson të dy si profesionistë të dëshmuar dhe kërkon që t’u jepet koha e nevojshme për të ndërtuar identitetin e skuadrave të tyre.
“Duhet të presim deri në fund të stinorit vjeshtor për të bërë një analizë të thellë. Ekipet kanë objektiva afatgjata dhe trajnerët duhet të mbështeten në këtë proces. Trajneri është institucioni kryesor në futboll, dhe trajneri më i mirë është ai që e zotëron dhomën e zhveshjes,” thekson ai.
Mungesa e “zjarrit vendor”
Një element që i mungon si Gjilanit ashtu edhe Dritës është prezenca e 3-4 lojtarëve vendorë brenda për brenda ekipit.
Ky “zjarr vendor” do t’i jepte më shumë shpirt skuadrave dhe do të rriste nivelin e rivalitetit.
Pikërisht mungesa e këtij fakti po reflekton edhe te derbi lokal, i cili viteve të fundit duket i zbehur krahasuar me të kaluarën.
Përfundimi
Arben Zeqiri beson se pavarësisht startit nën pritje, të dyja skuadrat gjilanase do të rikthehen fuqishëm dhe në fund të kampionatit do të sigurojnë pjesëmarrjen në garat evropiane.
“Të gjitha këto presione do të shndërrohen në motiv shtesë për futbollistët, që të japin më shumë sakrificë e vetmohim në fushë,” përfundon ai.