Bajram Spahiu kërkon më shumë dinjitet për të verbrit
Bajram Spahiu, kryetar i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, ka bërë thirrje për më shumë respekt, mbështetje dhe dinjitet për komunitetin e personave me të pamur, duke theksuar se ende ka shumë për të bërë në drejtim të barazisë dhe përfshirjes së tyre në shoqëri.
“Kënaqësia ime do të jetë e plotë vetëm kur të arrihet të paktën 90% e të drejtave dhe dinjitetit të këtij komuniteti të ndjeshëm e të rëndësishëm për jetën publike,” ka deklaruar Spahiu.
Ai ka shtuar se çdo përpjekje për vetëpavarësi dhe integrim shoqëror e bën më të fortë këtë komunitet dhe më humane shoqërinë në tërësi.
Këto deklarata Spahiu i bëri gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të Bardhë, që po mbahet në Prishtinë nga 15 deri më 22 tetor 2025, e cila synon sensibilizimin e opinionit për rëndësinë dhe vlerat e pavarësisë së të verbërve.
Gjatë konferencës, Spahiu tha se u theksuan disa arritje të rëndësishme për personat e verbër, por theksoi se këto përparime nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat reale të tyre, pasi ata ende përballen me mungesë infrastrukture të përshtatshme, vështirësi në qasje në informim, shërbime shëndetësore të kufizuara dhe mungesë të mundësive për punësim.


