Pas rrënimit të objektit të vjetër të ish-gjykatës në Gjilan, ku vitet e fundit ishin të vendosura zyra e kryetarit të komunës dhe stafi i tij, shërbimet komunale janë zhvendosur përkohësisht në objektin e Drejtorisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, tre drejtori komunale: ajo e Kadastrës, e Bujqësisë dhe e Emergjencës, të cilat vepronin në të njëjtin kompleks, janë transferuar te godina e Shkollës së Bujqësisë në lagjen Arbëria.
Kjo shkollë, e cila viteve të fundit është shndërruar në strehë të disa drejtorive komunale, nuk ka qenë e paraparë për këtë funksion, por ekskluzivisht për zhvillimin profesional të nxënësve të drejtimit të bujqësisë.
Gjithashtu, edhe salla e Kuvendit Komunal, së bashku me stafin teknik dhe administrativ, është zhvendosur në këtë objekt shkollor.
Aktualisht nuk dihet sa do të zgjasë qëndrimi i institucioneve komunale në këto hapësira alternative, por përkohësisht ato do të vazhdojnë t’u shërbejnë qytetarëve nga këto lokacione.
Në hapësirën e ish-objektit komunal pritet të zhvillohen punimet për rregullimin e bulevardit të qytetit, një projekt që mund të zgjasë rreth dy vite, e ndoshta edhe më shumë.


