Ndeshja e shumëpritur kundër Zvicrës nuk është e rëndësishme vetëm për kualifikimet e Kupës së Botës, por edhe për atmosferën që pritet të krijohet në stadium dhe jashtë tij.
Në shtetin helvetik jetojnë e punojnë mijëra shqiptarë nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare, të cilët do të jenë krah për krah me Dardanët deri në minutën e fundit të ndeshjes.
Tifozët e Kosovës tashmë janë mobilizuar. Organizatorët kanë bërë të ditur se “uragani” i tifozëve nga Kosova tashmë ndihet në çdo rrugë të Bazelit.
Me rekomandim të forcave zvicerane të rendit, pikëtakimi i tifozëve është caktuar në “Christoph Merian Park”, prej orës 14:00, nga ku më pas do të marshojnë drejt stadiumit.
“Le të jehojnë këngët dhe atmosfera drithëruese për kombëtaren e atdheut tonë të shenjtë. Në tribuna do të sundojnë Dardanët me përkrahje, ndërsa futbollistët në fushë me rezultat pozitiv,” thuhet në njoftim.
Për Kosovën. Për ndjenjën më të bukur në botë!