Zvicra në telashe me SHBA-në, ja si mund të preket edhe diaspora shqiptare

 

Zvicra përballet me tarifë 39% nga SHBA, kërkon marrëveshje shpëtuese, shqetësim edhe për komunitetin shqiptar

Zvicra është përfshirë në listën e vendeve që do të goditen nga tarifa ndëshkuese prej 39%, e vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump. Kjo tarifë është një nga më të lartat në krahasim me vendet e tjera perëndimore dhe ka shkaktuar reagime të shumta, si brenda qeverisë, ashtu edhe në tregjet financiare.

Qeveria zvicerane ka konfirmuar se është e gatshme të ofrojë një marrëveshje më tërheqëse për Shtetet e Bashkuara, për të shmangur këtë tarifë ndëshkuese, duke marrë parasysh shqetësimet e administratës amerikane. Negociatat do të vazhdojnë edhe pas afatit të së enjtes.

Presidentja Karin Keller-Sutter deklaroi se Trump e konsideron suficitin tregtar të Zvicrës, rreth 50 miliardë dollarë, si problematik. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka arritur marrëveshje me tarifa më të ulëta prej 15%, duke e vendosur Zvicrën në disavantazh të ndjeshëm ekonomik.

Sipas analistëve, tarifat mund të ndikojnë negativisht në ekonominë zvicerane, me rënie të mundshme të rritjes ekonomike deri në 0.7%, veçanërisht nëse përfshihen sektorë si industria farmaceutike, prodhimi i orëve dhe çokollata.

Ky zhvillim ka rëndësi edhe për shqiptarët nga Kosova, të cilët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë aktive në Zvicër. Mijëra bashkatdhetarë jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në ekonominë zvicerane, veçanërisht në sektorë si ndërtimtaria, shërbimet dhe prodhimi.

Një krizë e tillë ekonomike, e shkaktuar nga tarifat e reja, mund të ketë pasoja indirekte edhe për komunitetin shqiptar, i cili është i lidhur ngushtë me mirëqenien e përgjithshme të vendit.

Qeveria zvicerane po shqyrton gjithashtu mënyrën se si të trajtojë shtrembërimet statistikore në tregtinë e arit, të cilat mund të kenë rritur artificialisht shifrat e eksportit drejt SHBA-së.

 

Shpërndaj me të tjerët