Tetë vjet pa Legjendën e numrit 9, Agim Ademi kujton Fadil Vokrrin

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka kujtuar sot legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrrin, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Përmes një mesazhi përkujtimor, kreu i FFK-së ka lartësuar figurën e Vokrrit, duke theksuar se ka emra që nuk i përkasin vetëm historisë, por bëhen pjesë e pashlyeshme e identitetit të një kombi të tërë.

Fadil Vokrri ishte futbollisti më i madh që ka nxjerrë Kosova gjatë viteve të 80-ta, i cili gjatë karrierës së tij e barti me krenari të veçantë fanellën me numrin 9. E pikërisht më 9 qershor të vitit 2018, ai u nda nga jeta, duke e lidhur përgjithmonë këtë numër me emrin dhe trashëgiminë e tij në sportin tonë.

Sot, tetë vjet më vonë, kujtimi për të mbetet po aq i fortë sa dita kur u nda nga kjo botë. Fadil Vokrri nuk ishte vetëm një golashënues i jashtëzakonshëm dhe një ikonë e padiskutueshme e futbollit, por ishte njeriu që besoi në ëndrrën e Kosovës kur ajo dukej e paarritshme dhe punoi pa u ndalur për ta bërë atë realitet.

Nga sukseset e mëdha në fushën e blertë e deri te udhëheqja e futbollit të Kosovës drejt anëtarësimit historik në UEFA dhe FIFA, Vokrri la gjurmë të cilat nuk do të shlyhen kurrë nga historia.

Numri 9 në fanellën e tij simbolizonte golat, suksesin dhe lidershipin, ndërsa data 9 qershor na kujton sot dhimbjen e humbjes së tij, por edhe përgjegjësinë për ta ruajtur dhe për ta vazhduar rrugën që ai e ndërtoi.

Fadil Vokrri mbetet më shumë se një emër në historinë e futbollit tonë. Ai vazhdon të jetë frymëzim, krenari dhe pjesë e përhershme e identitetit të futbollit të Kosovës. Përherë në kujtimet tona. Përherë Legjendë.

 

Shpërndaj me të tjerët