KRENARI PËR FSK-NË / Oficeri i Kosovës lë mbresa në SHBA: “Iron Man” i policisë ushtarake

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka shënuar edhe një sukses të madh në arenën ndërkombëtare të edukimit ushtarak, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes së kuadrove të saj në institucionet më prestigjioze në botë.

Oficeri i FSK-së, Toger Arijanit Elshani, ka diplomuar me sukses të lartë në kursin e udhëheqjes për oficerët e Policisë Ushtarake (Military Police Basic Officer Leader Course), i cili u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë vijimit të këtij programi profesional ushtarak, Toger Elshani ka demonstruar nivel të lartë të njohurive profesionale, aftësi udhëheqëse dhe përkushtim të vazhdueshëm në përmbushjen e detyrave dhe standardeve të kërkuara nga ushtria amerikane.

Në shenjë vlerësimi për performancën e tij të shkëlqyer, ai është nderuar me çmimet prestigjioze “Honor Graduate” dhe “Iron Man”, të cilat u ndahen oficerëve që dallohen për rezultate të larta akademike, disiplinë, qëndrueshmëri fizike dhe përkushtim të jashtëzakonshëm gjatë shkollimit.

Ky sukses përfaqëson një arritje të rëndësishme personale për Toger Elshanin, si dhe një dëshmi të profesionalizmit dhe përgatitjes së lartë të personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në institucionet më prestigjioze ushtarake ndërkombëtare, duke forcuar edhe më tej partneritetin strategjik me SHBA-të.

 

Shpërndaj me të tjerët