Stafi i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Kamenicë po merr pjesë në një seminar tri-ditor që po mbahet në qytetin e Durrësit. Seminari organizohet nga Instituti për Promovimin e Edukimit (IPEDU), me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe financohet nga Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Kosovë.
Si një model i mirë bashkëpunimi për komunat e tjera, krahas zyrtarëve të DKA-së, në këtë aktivitet po marrin pjesë aktive drejtorët e shkollave në gjuhën shqipe dhe atyre në gjuhën serbe, si Agon Mahmuti (Gjimnazi “Ismail Qemali”), Milaim Lenjani (ShMLM “Sejdi Kryeziu”), Mirosllav Pavić (ShFMU “Desanka Maksimović”) dhe Dalibor Jovanović (Shkolla Teknike).
Kjo pjesëmarrje e përbashkët dëshmon përkushtimin e Drejtorisë së Arsimit në Kamenicë për bashkëpunim, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim të vazhdueshëm profesional. Synimi kryesor mbetet krijimi i kushteve sa më cilësore për të gjithë nxënësit dhe punonjësit e arsimit në çdo shkollë të komunës.
Nga DKA Kamenicë nëgrijnë se arsimi cilësor ndërtohet gjithmonë përmes bashkëpunimit, përfshirjes dhe investimit të vazhdueshëm në burimet njerëzore.
