EKOLOGJI/Këshilli i Fshatit Zhegër apelon për ruajtjen e mjedisit

Këshilli i Fshatit Zhegër u ka bërë thirrje publike të gjithë qytetarëve dhe biznesit lokal që të respektojnë në mënyrë strikte rregullat dhe dispozitat ligjore për ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e mjedisit.

​Përmes një njoftimi publik, drejtuar nga kryetari Qahil Halili, bëhet e ditur se hedhja dhe deponimi i mbeturinave në hapësira publike, rrugë, trotuare, parqe, hapësira të gjelbra dhe lumenj është një dukuri e papranueshme që dëmton drejtpërdrejt mjedisin, shëndetin publik dhe pamjen e fshatit.

​Këshilli rikujton se personat fizikë dhe juridikë janë të obliguar t’i menaxhojnë mbeturinat në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për të gjithë ata që nuk i respektojnë këto detyrime, parashihen masa të rrepta administrative dhe ndëshkuese, përfshirë edhe gjoba financiare sipas akteve komunale.

Nuk do të tolerohet hedhja dhe deponimi ilegal i mbeturinave. Inspektorët dhe organet kompetente do të ndërmarrin të gjitha masat e parapara. Çdo shkelje do të evidentohet, dokumentohet dhe procedohet sipas ligjit,” thuhet në njoftim.

Në përmbyllje, Këshilli i Fshatit apelon për përgjegjësi dhe kulturë qytetare, duke kujtuar se hapësirat publike janë pronë e përbashkët e të gjithëve.

​Me këtë rast, në emër të Këshillit të Fshatit Zhegër, kryetari Qahil Halili ka shprehur një falënderim të veçantë për bashkatdhetarin, banorin Bunit Sejdiu, për angazhimin e tij në pastrimin dhe rrafshimin e hapësirës publike në fshat.

Shpërndaj me të tjerët