SPORT/Nën dritat e reflektorëve, Drita e Gjilani në luftë për t’i dhënë ngjyrë qytetit

Sonte nga ora 19:00, e gjithë vëmendja e futbollit kosovar do të jetë e kthyer drejt përplasjes më të zjarrtë lokale.

Derbi i madh mes Dritës dhe Gjilanit, i vlefshëm për javën e 6-të të Superligës së Kosovës, pritet të dhurojë spektakël dhe emocione të jashtëzakonshme nën dritat e reflektorëve.

​Një përballje e tillë nuk ka njohur kurrë favoritë, pozita në tabelë apo rangje garash, sepse siç thotë e dëgjuara e vjetër e futbollit: derbi nuk luhet, derbi fitohet!

​Të dyja taborret hyjnë në këtë sfidë me optimizm maksimal, me përqendrim 100%, disiplinë taktike dhe me të vetmin synim: të lënë zemrën në fushë për tri pikët e artë.

Çka thanë trajnerët para duelit titanik?

​Debatik Curri (Gjilani): ​”Derbit lokal nuk i dihet asnjëherë. Këtu nuk ka favorit, pavarësisht renditjes në tabelë. Pres që të gjithë futbollistët të jenë në gjendjen më të mirë, të kemi vazhdimësi dhe të marrim një rezultat pozitiv.”

Ardian Nuhiu (Drita): ​”Duhet të luajmë me përgjegjësi të madhe, të tregojmë karakter dhe të jemi të bashkuar si grup. Në mbështetje të tifozëve tanë, synojmë me çdo kusht të arrijmë objektivin tonë: fitoren!”

Si paraqiten skuadrat në tabelë?

​Gjilani hyn në këtë përballje nga pozita e 4-të me 10 pikë (3 fitore, 1 barazim, 1 humbje), duke kërkuar të konfirmojë formën e mirë.

Në anën tjetër, Drita renditet në pozitën e 6-të me 7 pikë (2 fitore, 1 barazim, 1 humbje dhe me një ndeshje më pak të zhvilluar), e etur për të bërë kthesën e madhe pikërisht ndaj rivalit të urryer lokal.

​Statistikat fshihen kur nis bilbili i gjyqtarit. Pas 90 minutave të zjarrta në fushë, mbetet të shihet se cila skuadër do të festojë me tifozët e saj!

Shpërndaj me të tjerët