Muhadin Haziri kërkon më shumë hapësirë për kompanitë gjilanase në projektin e bulevardit

Nuk jam kundër rregullimit të bulevardit në qendër të qytetit. Përkundrazi, çdo investim që ndikon në përmirësimin e infrastrukturës dhe në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve është i mirëseardhur.

Megjithatë, nuk e njoh në detaje projektin e nënkalimit dhe nuk kam informacion të saktë nëse ai është planifikuar me dy apo katër korsi.

Mendoj se, para fillimit të këtij projekti, do të duhej të realizoheshin hyrje-daljet e qytetit, si dhe unaza e qytetit, e cila prej vitesh përmendet si prioritet, por ende nuk është jetësuar.

Po ashtu, do të ishte e domosdoshme të siguroheshin rrugë alternative për qarkullim, në mënyrë që të shmangeshin vështirësitë dhe bllokadat për qytetarët gjatë zhvillimit të punimeve.

Sa i përket procedurës, është e rëndësishme të sqarohet se projekti për rregullimin e bulevardit nuk ka kaluar për miratim të veçantë në Kuvendin Komunal, përveçse në kuadër të planifikimit buxhetor, ku janë paraparë 180 mijë euro.

Nëse ka munguar edhe debati publik, atëherë përgjegjësia bie mbi ekzekutivin komunal.

Megjithatë, nëse projekti realizohet sipas planit, në përputhje me dokumentacionin teknik, pa pengesa ligjore dhe me mbështetje të siguruar financiare, ai meriton të përkrahet.

Interesi i qytetarëve duhet të jetë gjithmonë prioriteti ynë i përbashkët, mbi çdo dallim politik.

Një vërejtje tjetër lidhet me mosangazhimin e operatorëve ekonomikë vendorë.

Gjilani ka kompani të afta dhe profesionale që mund t’i realizojnë me sukses këto punime.

Prandaj, institucionet duhet t’u krijojnë më shumë hapësirë kompanive nga Gjilani, në vend që prioritet t’u jepet kompanive nga qytete të tjera, veçanërisht atyre nga Ferizaj.

Në këtë mënyrë, investimet publike do të kontribuonin jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe në zhvillimin ekonomik të qytetit tonë.

Në fund, besoj se interesi i qytetarëve duhet të mbetet gjithmonë prioriteti ynë i përbashkët.

Muhadin Haziri
Këshilltar Komunal nga LDK

Shpërndaj me të tjerët