Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (UKZ) ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës Profesionale – CoVE Kosovo.
Marrëveshja synon të forcojë lidhjen ndërmjet arsimit të lartë, aftësimit profesional dhe tregut të punës.
Aktiviteti nisi në Laboratorin STEM të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara me një ekspozitë të punimeve të studentëve.
Me këtë rast, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Arben Sahiti, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimin e shkathtësive në fushat STEM.
Nga ana e tij, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, Xhevdet Thaqi, paraqiti objektivat e CoVE STEM Europe për ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm rajonal.
Memorandumi bashkon UKZ-në, Drejtoritë Komunale të Arsimit në Gjilan dhe Kamenicë, qendrat për aftësim profesional, si dhe kompani nga tregu i punës.
Palët u angazhuan për zhvillimin e praktikave profesionale, mentorimit, hackathon-eve, përmirësimin e kurrikulave STEM, ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve dhe kërkimin e përbashkët shkencor.
