GJILAN, 13 tetor 2026– Poliklinika UNICAMED në Gjilan ka vënë në funksion nga kjo javë Rezonancën Magnetike të gjeneratës së re, të brandit uMR 670 – 1.5 Tesla, duke shënuar një hap të rëndësishëm në ngritjen e cilësisë së shërbimeve diagnostikuese në rajon.
Kjo pajisje përfaqëson teknologjinë më të avancuar të mbështetur në inteligjencë artificiale, e cila mundëson diagnostikim modern dhe imazhe me rezolucion të lartë.
Radiologu Dr. Muharrem Sadiku ka bërë të ditur se ky model përfaqëson fjalën e fundit të teknologjisë në këtë fushë.
Sipas tij, pajisja e re sjell disa avantazhe kyçe diagnostikuese dhe komoditet të lartë për pacientët.
Përmes sistemit DeepRecon AI, rezonanca siguron imazhe më të qarta dhe detaje anatomike më të dallueshme, ndërsa teknologjia uCS (United Compression Sensing) mundëson ekzaminime më të shpejta pa cenuar cilësinë diagnostikuese.
Përveç kësaj, pajisja është e pajisur me teknologjinë QScan për reduktimin e zhurmës gjatë ekzaminimit, si dhe ka një tunel me gjerësi prej 70 centimetrash që ofron hapësirë më të madhe dhe komoditet maksimal gjatë procedurës.
Rezonanca e re mundëson diagnostikim të avancuar të trurit, shtyllës kurrizore, nyjeve, abdomenit, pelvikut si dhe sistemit vaskular.
Përmes këtij investimi teknologjik, pacientët e Anamoravës nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë jashtë Gjilanit për ekzaminime të tilla të nivelit të lartë, pasi të gjitha këto shërbime tashmë ofrohen pranë Poliklinikës UNICAMED. / dita24h /
