Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me studentët e shkencave sociale në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ku u diskutua për demokracinë parlamentare, përfaqësimin politik dhe të ardhmen evropiane të vendit.
Përmes një njoftimi, Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi pati kënaqësinë të mbajë një ligjëratë hapur dhe të diskutojë me të rinjtë mbi tematikat kyçe që lidhen me shtetndërtimin dhe proceset demokratike në Kosovë.
”Sot, në Universitetin ‘Kadri Zeka’ në Gjilan, pata kënaqësinë të mbaj një ligjëratë dhe të bashkëbisedoj me studentët e shkencave sociale për demokracinë parlamentare, historinë e përfaqësimit politik në Kosovë dhe të ardhmen tonë evropiane e euroatlantike,” ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se fokusi i këtij bashkëbisedimi ishte te përgjegjësia që vjen nga pushteti i deleguar nga qytetarët, si dhe te rëndësia e debatit konstruktiv në shoqëri.
”Diskutuam për pushtetin që buron nga qytetarët dhe përgjegjësinë që vjen bashkë me të, për rëndësinë e debatit dhe për demokracinë si një përpjekje që kërkon angazhimin e secilit brez,” është shprehur ajo.
Takimi me studentët në Gjilan u përmbyll me pyetje dhe diskutime të hapura lidhur me sfidat dhe perspektivën e rinisë kosovare në proceset integruese.
