Në Pozheran është mbajtur edicioni i festivalit të vallës dyshe “Gjurmët e Valltarit Pozheranas”, një ngjarje kulturore e përkushtuar kujtimit të valltarit të njohur të kësaj treve, të ndjerit Abdyl Rama.
Në këtë ngjarje artistike me sukses u paraqit Shoqëria Kulturore Artistike “Karadaku” nga Gjilani, e cila dhuroi performancë të lartë artistike para jurisë dhe publikut të pranishëm.
Përfaqësimi i SHKA “Karadaku” u realizua përmes duetit të vallës dyshe nga Lorikë Sulejmani dhe Blertina Veseli, të shoqëruara nga orkestra burimore e përbërë nga Naser Zeqiri, Adnan Danqi, Flamur Danqi dhe Xhevdet Hysa. Po ashtu, skenën e pasuroi edhe solistja Riola Hysa me zërin e saj mbresëlënës.
Paraqitja e dinjitetshme u shpërblye edhe me çmime zyrtare, me ç’rast SHKA “Karadaku” rrëmbeu dy trofe të rëndësishëm: Çmimin e Tretë të festivalit, si dhe çmimin “Valltarja më e mirë”, i cili iu nda valltares Blertina Veseli.
Një falënderim i veçantë gjatë këtij prezantimi iu adresua dizajneres Lalfije Oruglica-Grabovci (Lalona) për punën e përkushtuar në realizimin e kostumeve autoktone dhe kujdesin e treguar në çdo detaj të veshjeve skenike.
Anëtarët e shoqërisë shprehën mirënjohje të thellë për organizatorët e festivalit, në veçanti për drejtorin e festivalit, Fadil Ramiqi, si dhe drejtorin artistik, Arianit Hetemi, duke u uruar suksese të mëtejshme në ruajtjen dhe promovimin e traditës sonë burimore./ dita24h /
