Gjimnazi “Zenel Hajdini” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në sportin shkollor, duke u shpallur kampion i Komunës së Gjilanit dhe i Regjionit të Anamoravës në sportin e hendbollit, në të dyja kategoritë – femra dhe meshkuj.
Hendbolli vazhdon të mbetet një nga sportet prioritare në këtë institucion arsimor. Rezultatet e arritura dëshmojnë përkushtimin, disiplinën dhe punën e vazhdueshme të nxënësve, si dhe angazhimin profesional të Aktivit të Edukatës Fizike.
Me këtë rast, udhëheqja e shkollës ka përgëzuar të gjithë nxënësit kampionë, Aktivin e Edukatës Fizike dhe në veçanti profesorin Arben Hoxha për kontributin e tij të palodhshëm në zhvillimin dhe avancimin e sportit shkollor.
Ky triumf i dyfishtë forcon edhe më tej prestigjin e Gjimnazit “Zenel Hajdini”, duke dëshmuar se me punë ekipore dhe përkushtim arrihen rezultate të larta.
Ekipet e gjimnazit do të vazhdojnë garat në nivelet e mëtejshme me synimin për të përfaqësuar denjësisht shkollën dhe qytetin e Gjilanit.
