KFOR-i amerikan e turk luajnë Goalball me personat e verbër në Gjilan

 Në kuadër të promovimit të gjithëpërfshirjes, solidaritetit dhe barazisë në sport, në Gjilan u zhvillua një ndeshje miqësore në Goalball (lojë e të verbërve) ndërmjet K.G. Gjilani dhe ekipit të Shoqatës Ndërkomunale të të Verbërve nga Ferizaj.

​Aktivitetit i dhanë një dimension të veçantë pjesëtarët e KFOR-it Amerikan dhe KFOR-it Turk, të cilët iu bashkuan lojës për të përcjellë mesazhin se sporti tejkalon çdo barrierë.

​Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se sporti shërben si urë lidhëse mes njerëzve, duke promovuar respektin reciprok dhe bashkëjetesën.

Pjesëmarrja e personave me dëmtime të shikimit tregoi vullnetin dhe potencialin e tyre të madh për të qenë pjesë aktive e jetës sportive.

​Organizatorët falënderuan K.G. Gjilani, ekipin nga Ferizaj si dhe pjesëtarët e KFOR-it për kontributin e tyre në këtë ngjarje me vlera të mëdha shoqërore.

​Ky aktivitet u mundësua nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit, nën moton për mundësi të barabarta dhe sport për të gjithë.

Shpërndaj me të tjerët