Kryetari i Lëvizjes Vatra në Gjilan, Kushtrim Kadriu, iu ka bërë thirrje publike të gjithë qytetarëve me të drejtë vote nga Lugina e Preshevës që të marrin pjesë masovikisht në procesin zgjedhor këtë të diel.
Lëvizja Vatra, e cila vepron në Gjilan dhe në pjesë të tjera të Kosovës, numëron në radhët e saj një numër të madh anëtarësh me prejardhje nga Kosova Lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).
Përmes një deklarate publike, Kadriu ka theksuar se unifikimi i faktorët politik shqiptar në një listë të vetme përbën një zhvillim me rëndësi strategjike për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në institucionet e Serbisë.
“Dilni dhe votoni të dielën! Lista e Bashkuar Shqiptare po e pengon Vuçiqin!”, është shprehur Kadriu.
Ai ka shtuar se retorika e ditëve të fundit e Aleksandar Vuçiqit kundër Listës së Bashkuar Shqiptare vjen në një kohë kur pushteti i tij po përballet me sfida të mëdha politike, ku përfshihet edhe rritja e ndikimit të lëvizjes studentore dhe opozitës në shoqërinë serbe.
Sipas kryetarit të Lëvizjes Vatra, bashkimi politik dhe pjesëmarrja e gjerë në votime janë mjetet kryesore për të fuqizuar zërin e shqiptarëve dhe për të garantuar të ardhmen e tyre përmes unitetit dhe përfaqësimit demokratik.
