Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit është mbajtur Konferenca e tetë e Morbiditetit dhe Mortalitetit, një ngjarje me rëndësi të veçantë për vlerësimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Konferenca u organizua nga Komiteti për Cilësi dhe Siguri të Shërbimeve Shëndetësore, me udhëheqje nga Dr. Ramadan Halimi, i cili bëri edhe hapjen zyrtare të saj.
Në fjalën e tij hyrëse, Dr. Halimi prezantoi objektivat kryesore dhe rëndësinë e analizimit të treguesve të morbiditetit dhe mortalitetit për përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit ndaj pacientëve.
Gjatë punimeve të konferencës u prezantuan tema profesionale nga mjekët e reparteve përkatëse:
Nga Reparti i Kirurgjisë: Dr. Alban Bislimaj dhe Dr. Valon Beqiri.
Nga Reparti i Ortopedisë: Dr. Gentian Elezi dhe Dr. Redon Jashari.
Drejtori Ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, dhe Drejtori Klinik, Dr. Nezir Demolli, përgëzuan Komitetin për Cilësi dhe Siguri për organizimin e këtij takimi dhe punën e palodhshme në realizimin e aktiviteteve që rrjedhin nga ky komision.
Dr. Afrim Cana theksoi se angazhimi i tij do të jetë maksimal në përkrahjen e kësaj konference dhe nismave të ngjashme.
Ai nënvizoi se qëllimi kryesor është identifikimi i praktikave më të mira që kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore, duke konfirmuar mbështetjen e tij të vazhdueshme institucionale.
Nga ana e tij, Dr. Nezir Demolli, i cili ishte pjesë e panelit të diskutimeve, vuri theksin te qasja ndaj pacientëve, e cila sipas tij duhet të jetë gjithmonë profesionale, humane dhe e përqendruar në nevojat e tyre.
Ai po ashtu nënvizoi rëndësinë e një komunikimi të mirëfilltë ndërmjet profesionistëve shëndetësorë dhe pacientëve si element thelbësor për ndërtimin e besimit të ndërsjellë.
Morbiditeti dhe mortaliteti mbeten tregues kyç në mjekësi: i pari i referohet shpeshtësisë së sëmundjeve e komplikimeve, ndërsa i dyti tregon shkallën e vdekshmërisë.
Analizimi i tyre në këtë konferencë shërben si një hap i rëndësishëm drejt garantimit të një shërbimi shëndetësor më të sigurt dhe më cilësor për të gjithë qytetarët.
