Derisa Kosova po shënon përvjetorin e Epopesë së Lavdishme të UÇK-së, një njoftim prekës vjen nga Turqia, duke dëshmuar se figura e Kryeheroit Adem Jashari i kalon kufijtë kombëtarë.
Kamil Bitiş, shtetas turk me prejardhje nga Kosova, ka publikuar detaje mbi monumentet dhe hapësirat publike që mbajnë emrin e heroit tonë në shtetin turk.
Shtatorja në Sivas dhe parqet në Stamboll e Manisa
Sipas të dhënave të bëra publike, Turqia numëron një shtatore dhe katër parqe të emërtuara “Adem Jashari”. Pika qendrore e këtij nderimi është qyteti i Sivasit, ku lartësohet shtatorja e Heroit Legjendar.
Përveç shtatores, emri i tij është përjetësuar edhe në katër parqe të rëndësishme: në tri komuna të Stambollit: Bayrampaşa, Pendik dhe Eyüp dhe në qytetin e Manisës (zona Turgutlu).
Nderim për rezistencën tri-ditore
Përmes një mesazhi emocionues, Bitiş ka kujtuar fillimin e rezistencës së familjes Jashari kundër okupatorit serb, e cila nisi më 5 mars 1998.
“28 vite më parë, heroi ynë legjendar filloi rezistencën që do të zgjaste tri ditë. Përrulemi para heroizmit të tij!”, ka shkruar ai, duke theksuar se kujtesa për këtë sakrificë mbetet e gjallë edhe në diasporën tonë në Turqi.
Njohje për autorët e monumentit
Kamil Bitiş ka arritur të kontaktojë edhe me personat përgjegjës për realizimin e shtatores në Sivas. Ai ka identifikuar si protagonistë të kësaj vepre Mehmet Yarar dhe Hüseyin Kaptan, duke i cilësuar edhe ata si heronj për punën dhe respektin e treguar ndaj historisë së Kosovës.
Ky njoftim vjen si një kujtesë e fuqishme se figura e Adem Jasharit mbetet simbol i lirisë dhe unitetit kudo ku jetojnë shqiptarët dhe miqtë e tyre nëpër botë.

