Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arbër Ismajli, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke theksuar rëndësinë e unitetit brenda partisë.
Ismajli ka theksuar se forca më e madhe e LDK-së ka qenë dhe mbetet uniteti, duke nënvizuar se vetëm të bashkuar, pa dallime brezash, mendimesh apo ambiciesh personale, politika merr kuptimin e saj të vërtetë dhe shndërrohet në shërbim për qytetarët.
“Çdo proces zgjedhor, me rezultatet që sjell, është pasqyrim i një pune të përbashkët dhe përgjegjësi e të gjithëve, e jo barrë e individëve me emra të përveçëm”, ka shkruar Ismajli.
Ai ka bërë thirrje për bashkim rreth vlerave dhe vizionit të përbashkët, duke theksuar nevojën për njerëz që dinë të dëgjojnë, të përfaqësojnë dhe të ecin përpara me përgjegjësi.
Sipas tij, vetëm përmes unitetit LDK-ja mund të forcohet dhe të përballojë sfidat që e presin.
Në këtë kontekst, Ismajli ka vlerësuar se Kuvendi i thirrur më 31 janar është hapësira e duhur për debat, përmirësim dhe forcim të vizionit të përbashkët të partisë.

