Shaip Surdulli reagon ndaj Lumir Abdixhikut: LDK ka nevojë për unitet, jo për ndarje
Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, njëherësh ish-udhëheqës i LDK-së në këtë komunë dhe kandidat për kryetar në zgjedhjet e fundit lokale, Shaip Surdulli, ka reaguar pas një shkrimi të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në një postim në rrjetet sociale, Surdulli i është drejtuar drejtpërdrejt Abdixhikut, duke u shprehur se pajtohet me nevojën për mbrojtjen e votës dhe luftimin e keqpërdorimeve brenda subjektit politik, por ka kritikuar mënyrën se si është adresuar kjo çështje.
“I nderuar Kryetar Lumir,
Pajtohem plotësisht që vota duhet mbrojtur, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda subjektit politik, dhe se nuk duhet të ketë kompromis as ligjor e as partiak për keqpërdoruesit e votave.
Por më duhet të them se e ke humbur qëllimin dhe kuptimin duke i ndarë gjeneratat.”
Surdulli thekson se përkrahja ndaj Abdixhikut ka ardhur pikërisht për shkak të moshës dhe shpresës për ndryshim, por sipas tij, udhëheqja aktuale po krijon përçarje brenda partisë.
“Edhe ne ju kemi votuar si të rinj, pa ju njohur mirë, për t’i dhënë LDK-së një frymë të re. Por ju jeni kryetar i të gjithëve. LDK nuk ka njerëz tepricë për t’u përjashtuar apo ndarë.”
Ai shton se kryetari i LDK-së duhet të jetë figurë unifikuese dhe jo përçarëse, duke vënë në pikëpyetje drejtimin aktual të partisë.
“Ju mund të llogarisni në delegatët e Kuvendit për të shpëtuar pozicionin tuaj, por më vjen keq të them se nuk po e meritoni ta udhëhiqni LDK-në. Partia ka nevojë për një kryetar që e rrit dhe e bashkon atë.”
Në fund të reagimit, Surdulli ngre edhe një pyetje të drejtpërdrejtë:
“Kush janë ata që, sipas jush, e kanë gërryer LDK-në nga brenda?”

