Shkolla Fillore e Mesme e Ulët (SHFMU) “Agim Ramadani” në Zhegër ka pranuar një donacion të rëndësishëm nga bashkëvendësi Qani Fazliu dhe bashkëshortja e tij, Barbara Fazliu.
Në kuadër të këtij donacioni të dorëzuar më 31 tetor 2026, familja Fazliu ka dhuruar tri pajisje ngrohëse (klima) për mësimoret e shkollës.
Kjo ndihmë vjen si përgjigje ndaj nevojës së domosdoshme për përmirësimin e kushteve të ngrohjes për nxënësit e klasave të treta (III) dhe të shtata (VII).
Përmes një njoftimi publik, Drejtoria e SHFMU “Agim Ramadani” ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të familjes Fazliu:
“Drejtoria e shkollës i falënderon përzemërsisht z. Qani Fazliun dhe bashkëshorten e tij për këtë donacion të çmuar. Ky bashkëvendës edhe në të kaluarën e ka ndihmuar shkollën tonë, prandaj i jemi shumë mirënjohës për përkrahjen dhe kujdesin e treguar ndaj nxënësve tanë. Zoti i shpërbleftë me të gjitha të mirat!”, thuhet në falënderimin e drejtorisë.
Ky akt humanitar dëshmon edhe një herë lidhjen e fortë të bashkëatdhetarëve me vendlindjen, si dhe përkushtimin e tyre për të krijuar kushte më të mira arsimore për brezat e rinj./dita24h/
