Gjilan, 2 nëntor 2026 – Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan po zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar akademik përmes angazhimit të profesoreshës Amira McNeil nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila, në kuadër të projektit me Peace Corps, do të qëndrojë për një vit në UKZ si pjesë e stafit akademik.
Me rastin e fillimit të angazhimit të saj, profesoresha McNeil është pritur në takim nga Rektorja e Universitetit, Fitore Malaj, e cila i ka uruar mirëseardhje dhe suksese, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me ekspertë ndërkombëtarë për zhvillimin e mëtejshëm të institucionit.
Rektorja Malaj theksoi se prania e profesoreshës McNeil përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave akademike dhe avancimin e cilësisë në mësimdhënie.
Ajo nënvizoi se ky angazhim do të jetë një vlerë e shtuar për stafin dhe studentët, si dhe një mundësi e mirë për avancimin e programeve studimore.
Profesoresha Amira McNeil tashmë ka filluar procesin mësimor, duke marrë pjesë në ligjërata dhe duke bashkëpunuar me stafin akademik e studentët.
Gjatë qëndrimit njëvjeçar në UKZ, ajo do të kontribuojë në zhvillimin e mësimdhënies së gjuhës angleze, organizimin e punëtorive e seminareve, si dhe në hartimin e syllabuseve. Një fokus i veçantë do të jetë mbështetja në procesin e riakreditimit të Programit Master – Mësimdhënie e Gjuhës Angleze.
Nga ana e saj, profesoresha McNeil shprehu kënaqësinë për mundësinë e angazhimit në UKZ, duke theksuar se pret me padurim të ndajë përvojën e saj, të mësojë nga kolegët dhe të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të programeve akademike./dita24/
