Në ambientet e Restaurant “Astoria” në Gjilan është zhvilluar edicioni i pestë i Turneut Përkujtimor në shah “Astrit Dehari 2026”, i organizuar nga Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Kosovës.
Ngjarja mblodhi 82 shahistë nga Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare, ndërsa para fillimit të garës u intonuan hymni kombëtar dhe ai i Kosovës.
Të pranishmit u përshëndetën nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, zëvendësministrja e Sportit në Maqedoninë e Veriut, Safije Sadiku Shahini, si dhe kryetari i FSHK-së, Armend Budima.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe drejtori ekzekutiv i ASK-së, Fidan Shatri, babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, kryetari i FMV-së, Agim Shemshi, si dhe veprimtarë të tjerë.
Hapjen zyrtare dhe lëvizjet e para mbi tabelë i bënë Alban Hyseni me shahistin nga mërgata Lulzim Bunjaku, si dhe Safije Sadiku Shahini me deputeten Arieta Rexhepi.
Garat u zhvilluan sipas sistemit zviceran në 9 raunde për shahun rapid (15 min + 5 sek), nën drejtimin e kryegjyqtarit Burhan Misini dhe asistentëve Besnik Berisha, Albert Zenuni, Fehim Qorolli e Agon Berisha.
Fitues i turneut u shpall Mjeshtri Ndërkombëtar Nderim Saraçi me 7.5 pikë (6 fitore dhe 3 barazime kundër Zamir Kacit, Alban Krasniqit e Muhamet Asllanit).
Me pikë të barabarta (7.5) u renditën edhe Endrit Uruçi e Shqipdon Mehmeti, të pasuar nga Muhamet Asllani, Alban Krasniqi e Arsim Kelmendi me nga 7 pikë, si dhe Ahmet Jusufi e Besnik Aliu me nga 6.5 pikë.
Në përmbyllje u nda një fond shpërblyes prej 1,700 eurosh, bashkë me kupa, medalje e diploma.
Trofetë u ndanë nga familjarët e Astrit Deharit: babai Avni Dehari, nëna Xhemile Dehari dhe mbesa e tyre Arsa Dehari.
Me çmime u nderuan edhe fituesit sipas kategorive: Xhavit Fejza (Veterani), Lurni Ejupi (U18), Lir Basha (U16), Daris Salihu (U14), Liro Uka (U12) dhe Jona Reçica (Femrat).
Në kategoritë sipas rejtingut u shpërblyen Fahredin Jahiu (Rtg≤0), Bled Musliu (Rtg≤1600), Abdurrahman Uruçi (Rtg≤1800) dhe Emell Dili (Rtg≤2000), ndërsa çmimet rajonale u takuan Korab Saraçit (Kosovë), Zamir Kacit (Shqipëri), Faredin Osmanit (Maqedoni e Veriut), Ibrahim Alishanit (Luginë), Sulejman Suloviçit (Sanxhak) dhe Lulzim Bunjakut (Mërgatë).
