SHËNDETËSI/Advancohen shërbimet urologjike në Spitalin e Gjilanit, realizohet për herë të parë Cystolithotripsia

Gjilan, 3 nëntor 2026 – Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe zgjerimit të shërbimeve mjekësore, duke realizuar për herë të parë me sukses procedurën e Cystolithotripsisë.

Kjo ndërhyrje u krye për trajtimin e një guri me madhësi prej rreth 2 centimetrash në fshikëzën urinare të pacientit.

​Cystolithotripsia përfaqëson një procedurë bashkëkohore endourologjike, e cila mundëson thyerjen dhe largimin e gurëve nga fshikëza përmes kanalit urinar, duke shmangur nevojën për prerje klasike kirurgjikale dhe duke zbatuar kështu metoda minimalisht invazive.

​Ndërhyrja kirurgjikale u realizua nga urologu Dr. Hekuran Elezi si operator kryesor, i asistuar nga urologu Dr. Kushtrim Mustafa.

Ekipi mjekësor u plotësua nga anesteziologu Dr. Sulltan Sylejmani, si dhe nga instrumentaret Sevdije Latifi e Fatjona Xheledini.

​Ecuria e pacientit gjatë dhe pas ndërhyrjes ka qenë mjaft e mirë. Ai është liruar për në shtëpi të nesërmen në gjendje të plotë shëndetësore.

Ky sukses i ri u mundëson qytetarëve të rajonit të Gjilanit marrjen e trajtimeve moderne urologjike pranë spitalit të tyre rajonal./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët