REAGIMI/ Edhe asambleistja Ardita Ukshini rreshtohet kundër deponisë së mbeturinave

Vendimi i fundit i Komunës së Gjilanit për ndërtimin e një deponie të mbeturinave inerte në fshatin Malishevë ka ngjallur reagime të ashpra, duke gjetur tashmë edhe një zë të fuqishëm kundërshtues brenda Kuvendit Komunal.

Asambleistja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardita Ukshini, përmes një reagimi publik në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social Facebook, i është bashkuar hapur revoltës dhe shqetësimeve të banorëve të këtij fshati, duke u rreshtuar vendosmërisht kundër këtij projekti.

Ukshini ka bërë të ditur para ndjekësve të saj se do të votojë kundër këtij propozimi në Asamble, pasi lokacioni i përzgjedhur rrezikon drejtpërdrejt burimet e ujit me të cilat furnizohen banorët e fshatit.

Ajo ka theksuar se komuna posedon zona të tjera periferike për projekte të tilla dhe u ka bërë thirrje asambleistëve të tjerë që të marrin parasysh kërkesat e qytetarëve dhe ta bllokojnë këtë vendim.

 

Shpërndaj me të tjerët