Këshilltari i Lëvizjes Qytetare “Vatra” në Kuvendin Komunal të Gjilanit ka ngritur një shqetësim lidhur me mbishkrimet në pusetat e vendosura në qytet, duke kërkuar që ato të prodhohen dhe të mbajnë emrin e Gjilanit.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ai ka vënë në pah se në qendër të Gjilanit po hasen puseta me mbishkrime të qyteteve të tjera, duke përmendur Beogradin, Ferizajn dhe Janjevën.
“Këto puseta pse nuk prodhohen enkas për qytetin tonë? Jemi në mes të Gjilanit, e në puseta po shihen emra të qyteteve të tjera, si Beogradi, Ferizaj e Janjeva.”
Sipas tij, prodhimi i pusetave me emrin e vendit ku ato instalohen është praktikë e zakonshme në qytete të tjera dhe shërben si element identiteti dhe përkatësie.
“Krejt qytetet, kur prodhohen puseta, i prodhojnë me emrin e qytetit ku vendosen, si shenjë identiteti dhe përkatësie. E ne, në mes të Gjilanit, po i kemi puseta ku shkruan Janjeva e qytete të tjera. A nuk do të ishte më mirë që edhe Gjilani t’i kishte pusetat me emrin e vet? Gjilani meriton identitetin e vet, edhe në gjërat më të vogla!”
Ky reagim vjen si nxitje që institucionet përgjegjëse dhe kompanitë furnizuese të kenë parasysh standardizimin dhe identitetin lokal edhe në detajet e infrastrukturës urbane./dita24h/
