Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar sot pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gjilan, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës.
Përmes kësaj vizite, i pari i Gjilanit ka shprehur respektin dhe mirënjohjen e tij për gratë dhe burrat që i shërbejnë vendit me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi.
”Jemi krenarë me ushtarët tanë, me uniformën që mbajnë dhe me dinjitetin me të cilin përfaqësojnë Republikën e Kosovës. Ata janë dëshmi e vullnetit tonë për të ndërtuar një shtet të sigurt, të fortë dhe të gatshëm për t’i shërbyer qytetarëve të vet,” është shprehur Hyseni.
Ai e ka cilësuar FSK-në si simbol të krenarisë shtetërore, sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut, duke shtuar se çdo pjesëtar i saj meriton respekt për disiplinën dhe angazhimin në forcimin e sigurisë së vendit.
Në fund, kryetari Hyseni ka uruar të gjithë pjesëtarët e FSK-së për Ditën e Forcës, duke theksuar se puna dhe sakrifica e tyre janë burim krenarie për të gjithë qytetarët e Kosovës./dita24h/
