Gjilan, 27 nëntor 2026 – Universiteti Publik “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan ka zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke nënshkruar dy marrëveshje të reja me dy institucione të arsimit të lartë në Turqi: Universitetin Aydın dhe Universitetin Nişantaşı të Stambollit, raporton dita24h.
Në përfundim të vizitës zyrtare në Turqi, Rektorja e UKZ-së, Fitore Malaj, ka firmosur marrëveshjen me Universitetin Aydın në kuadër të programit Erasmus+ KA171, si dhe një Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin Nişantaşı të Stambollit.
Këto partneritete synojnë krijimin e mundësive të reja për mobilitet akademik, shkëmbim të studentëve e stafit, si dhe zhvillim të kërkimit shkencor.
Marrëveshja me Universitetin Aydın fokusohet në thellimin e bashkëpunimit përmes mobilitetit akademik dhe shkëmbimit të studentëve e personelit, duke u mundësuar atyre përvoja ndërkombëtare dhe zhvillim të mëtejshëm profesional.
Ndërkaq, Memorandumi i Mirëkuptimit me Universitetin Nişantaşı përcakton një kornizë të gjerë bashkëpunimi në arsimin e lartë dhe shkencë. Sipas tij, parashihet realizimi i projekteve të përbashkëta kërkimore, shkëmbimi i profesorëve, stafit administrativ, studentëve dhe praktikantëve, si dhe organizimi i konferencave e simpoziumeve shkencore.
Një pikë e veçantë e këtij memorandumi është inicimi i një programi të përbashkët me diplomë të dyfishtë në nivelin bachelor, krahas mundësive për studime në të dy vendet për nivelin master.
Dokumenti parasheh gjithashtu shkëmbimin e publikimeve e materialeve metodike, përmirësimin e metodologjisë së mësimdhënies sipas standardeve ndërkombëtare dhe mbrojtjen e ndërsjellë të pronësisë intelektuale.
Bashkëpunimi konkret do të zbatohet përmes programeve të veçanta të punës, ndërsa të dy universitetet do të angazhohen për sigurimin e mbështetjes financiare nga fondet publike dhe ndërkombëtare.
Përmes këtyre marrëveshjeve, UKZ vazhdon të forcojë procesin e ndërkombëtarizimit dhe të avancojë cilësinë e arsimit e të kërkimit shkencor për studentët dhe stafin e saj./dita24h/
