Gjilan, 27 nëntor 2026 – Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Gjilanit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe organizata joqeveritare Medika Gjakova kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, i cili synon avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbështetëse për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës seksuale.
Sipas marrëveshjes, stafi shëndetësor do të përfitojë ngritje të kapaciteteve profesionale për identifikimin e hershëm të shenjave të stresit dhe traumës, parandalimin dhe trajtimin e pasojave psikologjike e shëndetësore, si dhe referimin e rasteve drejt shërbimeve të specializuara në përputhje me nevojat e secilës mbijetuese.
Një nga objektivat kryesore të këtij bashkëpunimi është integrimi i shërbimeve për menaxhimin e stresit dhe traumës si pjesë e rregullt dhe e qëndrueshme e kujdesit primar shëndetësor në Gjilan.
Përveç aspektit shëndetësor, memorandumi synon thellimin e koordinimit ndërinstitucional dhe ndërkomunal, me qëllim të shkëmbimit dhe replikimit të praktikave të mira në mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave të grave dhe vajzave. /dita24h/
